Tung : Blog : Ekonomi  ///  Pasues
 
Apples and Bananas – Nji vështrim i fushatës së Astritit nga korneri
Nga Fisnik Ismaili në Kosovë më 19.10.2009 me komente
Etiketat: Reklamim, Shqip, Kulturë, Ekonomi, Politikë, Publike, Sociale
 
Shënim: Ky artikull është botue fillimisht në Facebook, në tetor 2009, në fillim të fushatës së zgjedhjeve lokale, me fokus në zgjedhjet për Prishtinën. Asokohe pat ba koxha bujë ky shkrim, duke i gjenerue mbi 1100 "like"-a e mbi 750 komente.

Fisnik Ismaili | 19 tetor 2009
 
Kur isha vjet në Slloveni në nji mbledhi dy-ditëshe të drejtorëve kreativë të rajonit, nji pjesë e konsiderueshme iu përkushtua gjetjeve të ideve (brainstorming) për zhvillim fushatash të produkteve të ndryshme në Hungari e Poloni.

Nji prej tyne ishte për Bonita bananet në Poloni. Sipas analizës që ata e kishin ba, molla ishte produkt shumë i konsumuem atje. Duke qenë se bananet i paskan lëndët ushqyese shumë të ngjashme me ato të mollave, qëllimi i Bonitës ishte me e ba nji fushatë që kishte me i nxitë konsumatorët me hangër ma shumë banane, edhe jo doemosdoshmërisht Bonita banane, por veç banane.

Domethanë, qëllimi i Bonitës ishte me e rritë konsumin e bananeve në Poloni, që si rezultat e kish rritë gjithë tregun e bananeve. Duke qenë se Bonita e kishte pjesën më të madhe të tregut (market share) të bananeve, rezultati i suksesshëm ma së shumti kishte me shku në dobi të Bonitës, por njikohësisht kishte me e rritë edhe pjesën e tregut të konkurrentëve në atë industri.

Kërkesa e Bonitës që na e parashtroi neve ishte e thjeshtë: “Promovojeni bananen si produkt poaq të mirë sa molla, por pa e nënçmue mollën. Arsyeja pse mos me e nënçmue: sepse molla ishte aq produkt i adhuruem e i konsumuem, sa që, po u nënçmue, konsumatori mundet me reague keq ndaj bananes edhe me e refuzue ate, sepse po i imponohet. Duhet me pasë shumë kujdes që mos me pasë reklama kundërefekt. Pos asaj, na po dojmë me e promovue bananen si produkt të mirë e të shëndetshëm, e jo me humbë kohë (e pare) tuj e shajtë mollën se pastaj edhe bananja mundet me u perceptue si negative.”

Strategjia 1
Votat e Isës
Strategjia e Astritit në fushatën e sivjetme asht koncentrue në këtë mënyrë të reklamimit. Nëse Isën e identifikojmë me mollat e Astritin bashkë me kandidatët tjerë i identifikojmë me bananet, atëhere shihet qartë se Astriti po don me i detyrue sa ma shumë votues MOS me votue për Isën, me shpresë se shumica prej tyre votojnë për te, e pastaj për kandidatët tjerë.

Strategji e mendueme mirë, por aspak e aplikueme mençur. Pse?

Sepse Astriti qysh në momentin kur u vendos me u kandidue për kryetar të Prishtinës, nisi me e nënçmue Isën hala pa i tregue të tjerëve se kush është në të vërtetë Astriti edhe pse njerëzit duhen me votue për te.

Për votuesin e Isës, kjo me siguri se ka efekt të tmerrshëm: “Kush është ky njeri që piku prej qielli, pa u prezentue mirë, që po e shan njeriun të cilit unë ia besova votën në zgjedhjet e kalueme? Qysh mundet ky mue me m’bindë se asht ma i mirë, kur unë nuk po di asgjë për të?”

Votuesi tradicional i Isës (edhe partisë që ai e përfaqëson) në këtë moment, jo vetëm se po ndihet i nënçmuem, por edhe i fyem me këtë arrogancë kaq të vrullshme.

Strategjia 2
Votat e prishtinalisë
Duke u bazue në llafet e kahmotshme të rrugëve, posaçërisht në zgjedhjet e kalueme, deri diku është e vërtetë se prishtinalia e do kryetarin me e pasë prishtinali. Kur Fatmir Limaj, njëri prej njerëzve ma të votuem në Kosovë, nuk e fitoi Prishtinën, shumë menduan se kjo ndodhi për shkak se nuk e kishte përkrahjen e prishtinalive.

Vendimi që partia të cilën e përfaqëson Astriti për herë të parë e zgjedhi dikë me rraj’ të Prishtinës për kandidat, vetëm e përforcoi këtë mendim.

Prandaj, nji pjesë e madhe e strategjisë është koncentrue në imazhin e Astritit për me ia “barazue” Isës -me titull (Prof. Dr.) edhe me faktin që është prishtinali. Bile, Astriti shkon edhe ma tutje me ia “mujtë” Isës me moshë edhe energji, e qebesa edhe me sllogan, duke përdorë një lloj slang-u të Prishtinës në frazën “po/s’po funksionon”, e cila ma shumë përdoret nga nji shoqni e ngushtë e do prishtinalive të kafiqave të qendrës, të moshës 32-42 vjeçare , sesa nga pjesa ma e madhe e qytetarëve.

Por, a e njeh kush prishtinalinë e vërtetë? Prej mbaslufte deri sot, prishtinalia ka pësue ndryshime radikale prej ndikimeve rurale, ndërkombëtare e mërgimtare. Nuk ka bir nane që i bjen në fije. Unë njoh kompani që kanë shpenzu boll pare në hulumtime për me e kuptue prishtinalinë, por nuk kanë pasë sukses.

Për këtë arsye, vota e prishtinalisë mbetet çashtje perceptimi. Kjo e ban garën edhe ma të vështirë, se edhe Vegimi edhe Besniku kanë lindë e janë rritë në Prishtinë. Të gjithë kandidatët e kanë dozën e tyre të karizmës, bukurisë, prezencës, aftesive menaxhuese edhe intelektit, për me u perceptue si kandidat i denjë për votën e nji prishtinalie.

Bile, në këtë rast Astriti është në pozitën ma të vështirë, se sllogani i tij i flet veç nji rrethi të ngushtë njerëzish, plus faktit që fjalia “Për Prishtinën që funksionon” gramatikisht mundet me u kuptue se Prishtina tashmë veç është tuj funksionue(!!! - E çka po na duhet Astriti, pra?). Pos kësaj, partia të cilën ky e përfaqëson, në Prishtinë perceptohet si parti që pak i përket këtij qyteti (duke u bazue në votat në Prishtinë të zgjedhjeve të kalueme të përgjithshme).

Strategjia 3
Votat e premtimit
Meqenëse nji numër votash me të vërtetë fitohet në premtimet që jepen gjatë fushatës, Astriti me siguri po e ruen armën ma të fortë deri në javën e fundit të fushatës, ku, duke e marrë parasysh se Pejës qysh në start iu premtuan 300 milionë euro, Prishtina nuk ka me e dijte kah me ia majtë prej buxhetit që ky ka me ia ofrue.

Por, derisa fazën e parë të fushatës, hala pa nisë me premtue, Besniku edhe Vegimi po e kalojnë duke iu prezentue opinionit se kush janë e çka dijnë me ba, e Isa duke i tregue të arritunat e tij gjatë dy vjetëve të fundit, Astriti po e humb kohën e çmueshme (edhepse e ka nisë shumë ma herët se që i është lejue) duke u marrë me Isën, pa qenë fort i vetëdijshëm në pasojat që ajo mundet me i pasë:

Pasoja 1
Shumë njerëz hala nuk po e dijnë se kush është Astriti, çka ban Astriti edhe çka ka ba ma herët Astriti, se Astriti mendon që prej vetë faktit se asht kandidue nga partia ma e votueme në Kosovë edhe është i Prishtinës, të gjithë duhen me e njoftë. Votuesi nuk ia beson votën dikujt që nuk e njeh.

Pasoja 2
Nëse e kritikon dikë për mospunë edhe mosangazhim duke dalë e duke ia numrue dështimet nëpër qytet, duhet me pasë kujdes nëse faktet në fjalë nuk janë të vërteta, se qytetari nuk është budallë edhe e vërteta del pa pritë e pa kujtue. Posaçërisht kur (keq)përdoret një simbol me vlera aq të nalta kombëtare sikur NEWBORN, për promovim vetanak, duke qenë se vetë Astriti e di që e vërteta nuk është ashtu si e tha ai. Votuesi nuk ia beson votën atij që nuk ia thotë të vërtetën.

Pasoja 3
Premtimet që jepen gjatë zgjedhjeve rrallë realizohen. Ky është fakt i dëshmuem edhe në qeveritë shumë ma të avancueme e ma të vjetra se ajo e Kosovës. Prandaj, edhe ato premtime qe jepen, duhen me qenë sa ma për toke, se, prapë po them, votuesi nuk është budallë. Hiç ma pak në rastin e Astritit, kur është në rrezik me e humbë besimin e votuesit hala pa nise me i dhanë premtimet (siç e spjegoi pasoja nr. 2). Votuesi nuk ia beson votën atij që nuk ia thotë të vërtetën.

Strategjia e përgjithshme
Shpresa për balotazh
Qysh në start strategjia e përgjithshme e Astritit është vërejtë prej aeroplanit. Ajo, të cilën Besniku në ditën e parë u habit edhe e nxori prej goje: “Do të hyj në balotazh me Isën!”

A ka gabim ma të madh sesa qysh në start të fushatës me u deklarue se Isa është aq më i fortë se ti?

Nëse qysh në fillim kandidati e jep përshtypjen se po shpreson për balotazh, vetëm përshtypjen, atëherë menjëherë do të identifikohet si “ndjekësi”. Besniku e tha me fjalë, Astriti me gjestet e pandalshme duke e nënçmue Isën, të dytë të pavetëdijshëm se kjo i bën me u perceptue si ma inferiorë në garë. E, është e dëshmueme shumë herë se votuesi ka dëshirë me u identifikue me ma të fortin. Parimi i njëjtë sikur në tifozeri futbolli.

Për më tepër, kur është fjala për Prishtinën, ku “forca” e partisë përkrahëse të secilit kandidat nuk është sikur ajo që e kanë në nivel kombëtar.

Ky qëndrim medoemos ka me ndikue se a ka me e marrë Astriti votën e mjaftueshme për balotazh, apo jo.

E nëse e merr, atëherë shpresat mbeten te votat e koalicionit Dacolli, se ato të Besnikut Astriti qysh tani mundet me i harrue.

Në këtë rast, është vështirë me u determinue një gjë: A thue sa janë votuesit e Dacollit besnikë ndaj liderëve të tyne, që me ia dhanë votën Astritit? Në rastin e Besnikut, është shumë e kjartë që votuesi i tij nuk i shkon Astritit as thikën me ia qitë në fyt, por në rastin e Vegimit dyshoj, sepse partitë e koalicionit Dacolli janë aq të reja, sa që nuk kanë votues tradicionalë e besnikë sa ka partia e Besnikut.

Edhe do vota të humbuna.

Cilësia vs Sasia
Astriti del nëpër media, thotë çka të don, kur të don, (bile edhe para se me fillue fushatat parazgjedhore zyrtarisht, duke e thye ligjin) sepse mundet. A guxon me i thanë kush “jo”?

Astriti e then çdo kod moral kur e përulë figurën e tjetrit nëpër billborde e TV reklama, sepse nuk spjegohet kjartë në këto reklama se për çfarë arsyesh edhe KUSH po e përul në këtë mënyrë personin në fjalë?!?

Kjo e then çdo kod moral e çdo ligj mediatik edhe, në këtë mënyrë, po e lejon secilin prej nesh me e marrë një fotografi të dikujt që e urrejmë edhe me ia ba nji anti-reklamë. Nji gjë të tillë as Coca-Cola kundër Pepsit nëpër botë, e as bananet kundër mollave në Poloni nuk e bëjnë, hiç më pak me qenie njerëzore!!!

Thjesht ajo që sot po e shohim nëpër billborde e TV është cenim i të drejtave intime të një qytetari sepse nuk ka asnjë indikator që thotë se është fjala për një mesazh apo kandidat të fushatës parazgjedhore (pos një teksti të shkruem nga kanali televiziv, sepse është i obliguem me e ba atë). Jam i bindur se ligjet për gjana të tilla ekzistojnë edhe në Kosovë, por nuk ka ardhë kurrë puna për me i aplikue ato.

E gjithë kjo fushatë kishte me u ba e pranueshme edhe e kapshme për votuesin sikur ta kishte nji gja që kësaj i ka mungue qysh në fillim – FINESA.

Janë miliona mënyra të ndryshme, shumë efikase, ku njani ia gjuen “kunxhin” tjetrit, pa u dukë vulgar, pa thye ligj e kod moral edhe pa e bombardue votuesin në çdo hap me mesazhe të tilla.

Ka shumë shumë raste të dëshmueme ku cilësia vlerësohet më shumë se sasia. Këtë e ka dëshmue edhe Edi ballë për ballë me Sokolin në “betejën” për Tiranën me 2007, kur ky i dyti, pos që përdori 3-4 herë më shumë hapësina mediatike për fushatë, shkoi e bani gjestin e ulët duke i publikue fotot e kundërkandidatit cullak në plazh nudistësh.

Kur ka ndodhë ky incident, unë menjiherë i kam dërgue Edit SMS edhe ia kam urue fitoren.

Votuesi nuk është budallë.

E kah tash?
Si rezultat, na sot po përballemi me një fushatë parazgjedhore të Astritit, e cila, pos gabimeve të shumëta që i përmenda në këtë shkrim, është edhe vizuelisht e punueme dobët, me imazhe të realizueme keq dhe porosi jo të menduara mirë, amatore, pa pikë kreativiteti edhe, më e keqja, provokative.

Si e tillë, jo vetëm që po ia ofendon intelegjencën votuesit (sikur reklamat e KFOR-it), por qysh në ditën e 4-t të fushatës nxiti deklarata të zjarrta nga kundërkandidati kryesor,të cilat munden me pasë implikime serioze për fillimin e nji lufte në mes të koalicionit të partive që po na e udhëheqin shtetin!!!

Në nji libër të Malcom Gladwell, të quejtun "Blink", tash vonë lexova për nji studim interesant, ku njani i kish analizue shumë qifte bashkshortore për aq kohë të gjatë, sa që ish në gjendje me e parashikue se a ka me u nda nji qift brenda nji kohe të shkurtë, apo jo, vetëm duke i pa tuj ba muhabet 5 minuta. Konkludimi i tij ishte se nji relacioni i ka ardhë fundi, në momentin kur njani fillon me e nënçmue tjetrin.

E ti, votues i nderuem, kah tash?

Këshilla ime për ty është: Nëse edhe ti, sikur une, mendon se edhe kësaj here jemi në situatën “bjeri njanit, mëshoji tjetrit”, bile kësaj here dil e voto për atë që ti mendon se është pak ma i mirë se tjetri. Anglezët thojnë “If you have to choose between evils, choose the lesser evil.” Përkthimi im është tepër vulgar për me u publikue këtu.

Unë mendoj se sa ma shumë njerëz që votojmë, aq ma shumë përgjeësi kish me pasë fituesi ndaj neve votuesve edhe çdo gabim kish me i kushtue shumë ma shtrejtë.

Unë poashtu mendoj se Astriti është shumë njeri i mirë, por fushata e tij është katastrofë.
 

Artikulli pasues: The Australian Connection – Nji vështrim i fushatës së Astritit nga korneri, 2 javë më vonë

 
[Shkrimet në këtë blog nuk përputhen doemosdoshmërisht me parimet e Karrota, por paraqesin vetëm pikëvështrimet e autorit]
 
Rekomendoje këtë artikull
 
Mendimi yt?
Na ndihmo duke e komentuar, duke i ndarë mendimet dhe idetë tua me ne, duke na dhënë sygjerime, ose, thjesht, duke e vlerësuar këtë artikull, në komentet më poshtë.
 

Deprecated: Directive 'allow_call_time_pass_reference' is no longer available in PHP in Unknown on line 0

Deprecated: Directive 'magic_quotes_gpc' is no longer available in PHP in Unknown on line 0

Deprecated: Directive 'register_globals' is no longer available in PHP in Unknown on line 0