Hello : Blog  ///  Previous   Next
 
Super reklamat e Super Bowl
By Fisnik Ismaili in Albania & Kosova on 03/02/2013 with comments
Tags: Advertising, Albanian, Brand, Case Study, Comedy, Creative, Culture, Economy, Film/Video, Inspiration, Marketing, Politics, Production, Social, Sports, Technology, Top 5
 
Gjithmonë i kam dashtë reklamat e mira. Kam qenë (edhe jam) nji prej atyne njerëzve që, kur ndalej filmi apo programi për bllok publicitar, që me iu jepë shikuesve rast me u pëshurrë, unë e mbajsha me zor deri kur përfundonin reklamat, i gatshëm me e sakrifikue një pjesë të filmit për një rrugë deri në banjo, por asnjiherë reklamat.

Fisnik Ismaili | 3 shkurt 2013
 
Këtë po e shkruej pikërisht sot, në ditën e Super Bowl, finales së madhe të ligës futbollit amerikan (NFL) e cila, përveç se shquhet për madhështinë e vetë si ndodhi me shikueshmërinë më të naltë në SHBA (deri 111 milionë njerëz), shquhet edhe për TV reklamat fenomenale, ku transmetimi i një 30-sekondëshe mundet me kushtue deri në 4 milionë dollarë. Po po, 4 milionë për 30 sekonda reklamë, pa e llogaritë çmimin e prodhimit të saj, vetëm transmetimin.

Pa dashtë me u futë në ma shumë detaje për reklamat e Super Bowl-it edhe punën që e bajnë agjencitë e ndryshme edhe klientat e tyne për me i krijue enkas për këtë ditë, po i përshkruej disa reklama që kanë hyrë në histori, të cilat janë veçue nga të tjerat, bashkë me disa fakte interesante për to.

 


5. Miller High Life – 2009
Për shkak të krizës ekonomike të vitit 2009 edhe çmimit shumë të naltë të transmetimit, Miller pati vendosë me e transmetue reklamën më të shkurtë në historinë e Super Bowl, e cila zgjatë vetëm 1 sekondë. Është aq e shkurtë, sa që nuk ka kohë as me e thanë komplet emnin e produktit “Miller High Life”.



Efekti, sidoqoftë, ka qenë i madh, meqë kjo reklamë është pritë se ka me u përfolë edhe me popullarizue shumë shpejt, prandej Miller High Life është pregatitë duke i lëshue në një website edhe plot reklama tjera 1 sekondëshe, si këto në vijim.



 


4. Chrysler - 2011
Reklama ma e gjatë e transmetueme ndonjiherë në Super Bowl ka qenë ajo 2-minutëshe, e kompanisë së veturave Chrysler në vitin 2011, në të cilën paraqitet rap artisti i famshëm, Eminem, duke vozitë nëpër Detroit, dikur i njohur si qytet i zhvilluem industrial (kryesisht për industrinë automotive) dhe krenaria amerikane, e që sot është i braktisun, për shkak të importit ma të lirë edhe krizave ekonomike që i kanë goditë SHBA-të.

Reklama ka një porosi të veçantë, që tenton me e prekë ndjenjën patriotike të shikuesit, posaçërisht kur në nji moment Eminem, thotë “this is the Motor City and this is what we do” (ky është Qyteti i Makinave dhe këtë e bëjmë [ma së miri]) dhe reklama përfundon me sloganin ironizues “Imported from Detroit” (Import nga Detroiti), i cili ka për qëllim përqeshjen e veturave të importueme (kryesisht nga Japonia e Gjermania), që janë konkurrencë direkte e Chrysler-it.

Porosia, diçka si “Duaje tënden”.

Rekordin e transmetimit 2-minutësh të kësaj reklame në Super Bowl nuk e ka tejkalue askush, por që vetë Chrysler e ka barazue një vit më vonë, me reklamën që vijon mbas kësaj.



 


3. Chrysler – 2012
Si duket, për me e përcjellë suksesin e reklamës së vitit paraprak me Eminem-in, edhe me iu tregue tetanëve se janë ekonomikisht mirë, Chrysler edhe në vitin 2012 e transmeton një reklamë shumë të shtrenjtë 2-minutëshe, kësaj here me aktorin e famshëm, Clint Eastwood, i cili flet për pasojat e krizës ekonomike, e posaçërisht në industrinë automotive e Detroitit.

E titullueme “Its Halftime in America” (Është pauza [e ndeshjes] para pjesës së dytë në Amerikë), duke aluduar në ndeshjen e futbollit amerikan, ky e përshkruan Amerikën para një sfide që e ka ndeshja në pjesën e dytë, kur sportisti e shtyen veten drejt fitores me tanë fuqinë.

E shkrueme me ngritë edhe ma shumë ndjenjën patriotike sesa reklama nji vit ma herët, reklama është kritikue nga konzervatorët se po e promovon Obamën dhe po i ndihmon në garë për mandatin e dytë, meqë porosia përputhej, deri diku, me ato të Kryetarit të SHBA-ve.



 


2. Doritos – 2009
Për me e bë edhe ma interesant këtë maninë e reklamave të Super Bowl, prodhuesi i çipsave, Doritos, e ka shpallë një konkurs. Aty i fton shikuesit vetë me e xhirue edhe krijue një reklamë për Doritos, ku ma e mira prej tyne, jo vetëm që kishte me i fitue 25,000 dollarë, por edhe kish me u transmetue në Super Bowl 2009.

Dy vëllazën pa punë, Joe dhe Dave Herbert, e provojnë fatin e tyne duke e krijue një reklamë shumë qesharake, e cila nuk iu ka kushtue ma shumë se 2,000 dollarë për me e prodhue. Ata jo vetëm që e fitojnë shpërblimin prej 25,000 dollarësh edhe biletat për ndeshje me reklamën fituese në konkursin e Doritos, por i fitojnë edhe 1 milion dollarë të tjerë, pasi që reklama e tyne shpallet nga “USA Today’s Ad Meter” si ma e mira prej krejt reklamave të Super Bowl të vitit 2009.

Këta të shkretit as që kishin pasë para për bileta aeroplani me u kthye në shtëpinë e tyne në Batesville, Indiana.



 


1. Apple - 1984
Ehhhh, janë shumë arsye pse kjo reklamë konsiderohet si më e randësishmja në historinë e Super Bowl (e edhe ma gjanë). Sepse, kjo reklamë, në fakt, e ka fillue maninë e reklamave në këtë ndodhi sportive, mbas suksesit gjigant që e ka pasë kur është transmetue:

Së pari, në javën mbas transmetimit ,ma shumë është përfolë reklama, sesa vetë ndeshja. Së dyti, janë shitë 72,000 kompjuterë për 100 ditë mbas reklamës, mbi 50% ma shumë se që Apple e ka parashikue. Së treti, regjinë e ka bë, kush tjetër, pos i famshmi, Ridley Scott.

Reklama, e titullueme “Why 1984 won’t be like 1984” e ka për bazë librin shumë të famshëm të George Orwell, të titulluem “1984”. Këtë libër Orwell e ka shkruejtë më 1949, ku e përshkruen Britaninë e Madhe të vitit 1984, e cila udhëhiqet nga diktatori “Big Brother” (Vëllau i madh), i cili jo vetëm se e mban tanë vendin nën kontroll, me kamera në çdo shtëpi e spiunë gjithandej, por edhe e kontrollon sjelljen edhe lirinë e tanë popullit. Po i vie era xhaxhi Enver pak, apo jo? Qebesa edhe Hashim.

Për mos me e zgjatë, nëse nuk e ke lexue akoma këtë libër, që njihet si njani prej librave më të shquem në histori të letërsisë, atëherë s’guxon me vdekë pa e lexue.

Në reklamë shihet një femën me rroba sportive, e cila e kundërshton nënshtrimin ndaj Vëllaut të Madh, duke aludue se Apple Macintosh kompjuterët janë ndryshe se ajo që konsiderohet normë.

Kjo reklamë thuhet se e ka shndërrue Apple në gjigant të industrisë kompjuterike, si dhe nga shumë konsiderohet si reklama ma e mirë e të gjitha kohënave. Natyrisht, e ka fitue Luanin e Artë në Cannes (hej, edhe na e kemi fitue nji) dhe shumë çmime tjera prestigjoze.

Pak veta e dijnë se kjo reklamë nuk i ka pëlqye shumicës së drejtorave të Apple, por Steve Jobs u pat dashunue në te edhe e ka shtye dhe ndihmue shumë realizimin e saj.



Interesant, duke e marrë parasysh se sa shumë para edhe randësi i jepet reklamave, si duket nuk qenkam veç unë që nuk shkoj me u pëshurrë kur fillojnë reklamat. Në fakt, po del se njerëzit po i jepkan randësi shumë ma të madhe porosive publicitare, sesa që mendojnë disa biznismenë në Kosovë e Shqipëri, të cilët ngurrojnë me investue në këtë fushë, sepse nuk e vlerësojnë sa duhet.

Ndoshta iu ka ardhë koha me e ndryshue mendjen?

 


Reklamat e Super Bowl 2013
Nëse e shikon sonte Super Bowl ndeshjen në mes të Baltimore Ravens dhe San Francisco 49ers, e cila fillon në orën 00:30 (pas mesnate), në Mercedes-Benz Superdome, New Orleans, Louisiana, më poshtë janë disa nga reklamat që kanë me u transmetue. Nëse s'e shikon, reklamat prapë ke me i pasë këtu. Kënaqu.

Godaddy.com (shokuese, me super modelen Bar Refaeli)


 


Mercedes (me William Defoe edhe Usher)


 


Volkswagen (me u shqye tuj qeshë)


 


Budweiser (realizim the tregim i bukur)


 


Audi (e guximshme)


 


Playstation (epike)


 


Samsung (duke u frikësue prej padive eventuale)


 


Godaddy.com (u nis me ta, po bitiset me ta)

 
Previous article: Integroni SEO-n në fushatën tuaj të marketingut online
Next article: Copëz e veçantë emocioni

 
[Pieces written in this blog do not necessarily represent Karrota's views and principles, but solely reflect the author's point of view]
 
Recommend this blog article
 
Your thoughts?
Feel free to comment, share your thoughts and ideas, give suggestions, or simply rate this article in the comments below.