Hello : Blog  ///  Previous   Next
 
Integroni SEO-n në fushatën tuaj të marketingut online
By Granit Doshlaku in Albania & Kosova on 02/02/2013 with comments
Tags: Advertising, Albanian, Brand, Culture, Development, Economy, Internet, Marketing, Media, Science, Social, Technology, Web Design
 
Të paturit një uebfaqe për biznesin tuaj është e kotë nëse atë nuk është duke e vizituar askush. Në të njëjten kohë të paturit një uebfaqe për biznesin tuaj është esenciale nëse dëshironi të qëndroni në hap me konkurrentët tuaj. Atëherë cila është zgjidhja për këtë problem? SEO?

Granit Doshlaku | 2 shkurt 2013
 
SEO qëndron për Search Engine Optimization (sq. optimizimi i faqes për makinat e kërkimit). Kur flasim për makina të kërkimit mendja na shkon menjëherë tek Google. Pra SEO d.m.th optimizimi i faqes suaj që ajo të renditet sa më lartë për rezulatet e kërkimit në makinat e kërkimit (Google, Bing & Yahoo!).

Po pse është e rëndesishme të kesh një faqe të optimizuar për Google?
Të paturit një faqe të optimizuar për Google ju ndihmon juve që të fitoni më shumë trafik falas për faqen tuaj, dhe sa më shumë trafik në gjuhën e biznesit do të thotë më shumë konsumatorë/shitje/fitim.

Ta zëmë se ju keni një autosallon ku shitni vetura të reja. Keni dëgjuar se është shumë mirë që si biznes të keni një uebfaqe për veprimtarinë që ju zhvilloni. Keni gjetur një firmë që merret me këto punë, keni paguar ~1000 euro dhe keni krijuar faqen që ju duhej. Me kalimin e kohës do të filloni të mendoni se cila ishte esenca e shpenzimit të atyre ~1000 eurove, kur nuk shihni akoma rezultate nga ai investim … sepse esenca e të investuarit është fitimi apo jo?

Siç thashë edhe më herët, të paturit një uebfaqe është e kotë, në rast se atë nuk është duke e vizituar askush. Pra, pos krijimit të uebfaqes ju duhet të mendoni edhe për forma të ndryshme të reklamimit të saj. Disa nga format e mundshme të marketingut janë: reklama në uebfaqe të tjera (fitimi: vizitorë + branding), e-mail marketing (të pakëta janë kompanitë shqiptare që kanë tamam lista legale me persona që kanë pranuar të ju dërgohen e-mail-et promovuese), social media (e komplikuar, por shumë efektive nëse bëhet në mënyrë të duhur) dhe SEO (trafik falas organik nga makinat e kërkimit - më e mira është se vizitorët që merr faqja juaj janë persona që veçse kanë një interes për veprimtarinë tuaj, në rastin tonë ata kanë kërkuar diçka në lidhje me vetura, përderisa iu është shfaqur faqja e jonë).

Pse SEO para strategjive të tjera të marketingun online?
Duke mos dashur të nënvlerësoj asnjë strategji tjetër marketingu, sepse të gjitha mund të jenë shumë të mira dhe tejet efektive nëse bëhen në mënyren e duhur, preferoj SEO sepse është një strategji më afatgjatë, që nuk sjell rezultate vetëm sot për nesër, por për vite të tëra.

Reklamimi në uebfaqet e tjera ka të mirat dhe të këqijat e veta. Të mirat janë se ju sjell vizitorë (konsumatorë potencial?) dhe kompania juaj krijon një emër (branding?). Të këqijat janë se, posa të mbarojë buxheti i planifikuar për reklamim, mbarojnë dhe vizitat - dhe shumë pak nga vizitorët që keni patur do të rikthehen përsëri.

Pastaj është edhe problemi se kush po e sheh atë reklamë, a janë të interesuar ata persona për produktin që ju po reklamoni? Në rast se e reklamoni në faqe mediale, sa përqind nga vizitorët e asaj faqeje janë tamam persona të interesuar për të blerë produktin tuaj, në rastin tonë veturat e reja? Pra, është shumë e kufizuar sa i përket targetimit të personave që shohin reklamën tonë.

E-mail marketing, në anën tjetër, edhe pse pakëz strategji e vjetër, është akoma efektive. Por mund të jetë shumë e rrezikshme! Duhet pasur kujdes kur zgjedhni kompaninë që do të zhvillojë këtë fushatë marketingu për ju, të jeni të sigurt se personat që do të pranojnë e-mail nga ju të jenë të pajtuar për pranimin e e-mail-ave promovues, përndryshe kjo do të quhet SPAM, që në shumë vende dënohet me ligj ... kuptohet jo tek ne, por mund të ndikojë që të dëmtohet imazhi i markës tuaj (unë sa herë shoh reklama nga Universiteti Vitrinat, më kujtohen qindra e-maila që më vinin çdo ditë nga ta, dhe shansat që unë të rekomandoj këtë universitet janë të barabarta me zero).

Edhe këtu, sikurse tek marketingu në faqet e tjera, një problem shumë i madh është targetimi i personave - sa prej tyre ju pëlqejnë veturat, sa dëshirojnë të blejnë një të tillë etj.

Kur flasim për Social Media mendja na shkon menjëherë tek Facebook dhe Twitter. Çdo biznes duhet patjetër të jetë i pranishëm në këto dy shërbime. Duke qenë se Twitter sapo ka filluar të përhapet më shumë tek ne, atëherë do të flasim vetëm për Facebook.

Marketingu në Facebook është i doemosdoshëm. Një faqe në Facebook duhet hapur patjetër, dhe duhet promovuar gjithashtu. Çka më pëlqen më së shumti tek Facebook-u, është targetimi përfekt që mundesojnë ata në produktin e tyre të reklamimit (me gjithë ato të dhëna që zotërojnë, si mos të jetë përfekt pastaj?).

Një gjë që nuk më pëlqen mua, është se kur fillon të bësh marketing në Facebook, duhet ti kushtosh një kohë të konsiderueshme për çdo ditë vetë, ose të punësosh dikë vetëm për këtë punë, që të ruash aktivitetin e faqes dhe të shtosh numrin e pëlqimeve në faqe. Duke qenë se artikulli i jonë po flet për biznese të vogla dhe të mesme, jo të gjithë i kanë këto mundësi.

SEO, në anën tjetër, nëse bëhet si duhet nuk ka asnjë anë negative. Është një proces i ngadalshëm, dhe rezultatet e para që mund të vërehen janë ato pas 3-4 muajve. Të qenurit proces i ngadalshëm e bën atë edhe më të qëndrueshëm.

Një nga gjërat më të mira që SEO ofron, përveç trafikut falas, është edhe kategoria e vizitorëve. Përmes SEO-s, makinat e kërkimit tek ju sjellin persona që janë të interesuar për atë që ju ofroni, pra në rastin tonë vizitorët që vijnë tek faqja jonë përmes makinave të kërkimit tashmë kanë kërkuar për vetura (1,300 kërkime ekzakte çdo muaj, 1,300 konsumatorë të mundshëm), vetura në shitje (720 kërkime ekzakte çdo muaj, 720 konsumatorë të mundshëm) apo terma të tjerë që ne i kemi parë të arsyeshëm të rangohemi për ta.

Këta persona kanë shumë më shumë mundësi të konvertohen në konsumatorë tuaj sesa persona që kanë parë reklamën tuaj në një faqe mediale apo kanë pranuar një e-mail promocional nga ju. Rankimi për terma të caktuar në makinat e kërkimit nënkupton një trafik të qëndrueshëm, pra nuk është e nevojshme që çdo ditë të merreni me SEO (sikurse që do të duhej në rast se po punonit me një faqe në Facebook).

Esenca e SEO-s është krijimi i një uebfaqeje që i jep vizitorit atë që po kërkon në formën më të mirë të mundshme, dhe në rast se ju keni një faqe të tillë që meriton të rankohet dhe të ketë vizitorë (konsumatorë të mundshëm?) atëherë pse të ia mohoni një mundësi të tillë faqes dhe biznesit tuaj?

… për fund
Marketingu ka evoluar, gjërat po ndryshojnë. Në ditët e sotme, gati çdo gjë gjindet në internet, dhe të gjithë po i kthejnë sytë nga ky fenomen. Prandaj nëse akoma nuk keni filluar të krijoni një strategji për marketingun online, cfarë jeni duke pritur? Filloni tani .. nuk është akoma vonë!
 
Previous article: Top 10 rrenat më efektive shqipe
Next article: Super reklamat e Super Bowl

 
[Pieces written in this blog do not necessarily represent Karrota's views and principles, but solely reflect the author's point of view]
 
Recommend this blog article
 
Your thoughts?
Feel free to comment, share your thoughts and ideas, give suggestions, or simply rate this article in the comments below.