Hello : Blog : The Lizard  ///  Previous   Next
 
Top 10 drekat në Prishtinë
By The Lizard in Kosova on 18/09/2012 with comments
Tags: Albanian, Brand, Culture, Economy, Food, Inspiration, Public, Sex, Social, Top 10
 
Me qenë zhapin në Prishtinë nuk është lehtë. Mu ka dashtë koxha kohë deri kanë nisë me m'lanë me hy nëpër restorane. Sot, më konsiderojnë ndër myshteritë ma të mirë edhe zakonisht gëzohen kur shkoj me hangër.

Zhapin Krasniqi | 18 shtator 2012
 
Nuk më ndodh fort shpesh me dalë në qytet për drekë, sepse ose kam shumë punë, ose është moti i keq, ose është aq i mirë, sa që kur të dalësh nuk të shkohet prapë në zyrë.

Por, në rastet kur dal, kam qef me e hangër nji drekë të mirë, e cila më kënaq, por edhe s'ma sakaton xhepin. Ma poshtë është Top 10 lista e drekave të mia më të preferume në Prishtinë, me nga nji përshkrim të shkurtë, emnën të restorantit edhe çmim - të rendituna prej të mirës deri te MA E MIRA.

Po ia fillojmë:

10-she n'kajmak
Sarajeva
Në ato ditët kur ke shumë punë e pak kohë, duke vrapue prej nji takimi në tjetrin, e të ka humbë energjia sepse s'ke mbërri as mëngjes me hangër, gjithqysh ke me e ba rrugën për me kalue afër qebaptores Sarajeva, me çkye një 10-she.

Unë timen e preferoj me kajmak edhe me do qepë anash. Kur ka kos të shpisë, e ndoshta edhe një spec turrshi, atëherë kjo vizitë ka me të mbushë energji deri mbasnesër. Vetëm ke kujdes me qepët: nuk ti kisha propozue nëse ke ndonjë takim pune ose me simpatinë, se ka gjasa që i humb të dyjat.

€3.50


Për këtë përzgjedhje, isha në mes të Tara, që është aty afër në mahallë, edhe Sarajeva, por e zgjodha këtë të fundit shkaku i madhësisë së qebapave edhe cilësisë së kajmakut.


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

 

9. Egg mix sandwich
Aroma | 038 244 125
Unë jam adhurues i madh i vezëve, që tregon kjo përzgjedhje edhe ajo pas kësaj. Si i tillë, kur e pata zbulue këtë sanduiç te Aroma, u pata gëzue shumë.

Në mesin e sanduiçave tjerë shumë të mirë, egg mix-in e adhuroj sepse përmban një përziemje të mirë të vezëve të zieme, majonezës edhe copave të vogla të përrshutës, që e bën mjaft të ngurtë për me e përtypë mirë edhe jo aq të lëngëshëm për me derdhë ma shumë në pjatë, sesa që ke futë në gojë. Poashtu, buka në të shumtën e rasteve është taze edhe nuk bëhet shumë e fortë kur e fusin në toster. Çdo sanduiç vjen me pak patate chipsa (patatine në Shqipëri, e që gjithmonë kam qef me m'dhanë ma shumë, por harroj me iu thanë).

€2.50


Aroma gjithmonë ke shansa me e takue dikë që e njeh.


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

 

8. Omletë me përshutë
Metro | 044 85 85 85 | 049 85 85 85
Si omleti në Metro pak gjana më kënaqin. Ndoshta sepse i përgatitë vezët ma ndryshe se këto metodat tradicionale të nanës e gjyshes në fërtere.

Të shoqnume me nji shtresë të hollë kaçkavalli përmbi, që është shkri prej së nxehti, me përrshutë të preme hollë edhe pak të pjekun, boll sa me ba "kërrc" kur e kafshon, pak sallatë të përbame prej domateve, kastravecave edhe patlixhani të zi (patëllxhan, në Shqipni) edhe bukë thekne, ky omlet të garanton se krejt energjia e humbun prej nji nate ma heret duke punue (ose dukepi, ose duke ..) ka me tu kthy brenda minutave. Edhepse kategorizohet ma shumë si mëngjes, unë e kisha hangër edhe për darkë.

€3.00


Mos e le pa e pi nji caffè latte mbas buke!


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

 

7. Asian Chicken
Home | 044 336 336 | 035 22 40 41
Pak e çuditshme është me folë për pulën aziatike që përgatitet në nji restorant që nuk është i specializuem në ushqim nga Azia, por ja që Home e përgatit këtë gjellë ma mirë se restorantet tjera (të pakëta) të këtij kontinenti në Prishtinë.

Në shikim të parë, duket si çdo gjellë e ngjashme e nji restoranti të rendomtë aziatik: nji pjatë boll e madhe me copa pule përmbi noodles (s'po më kujtohet se a ka fjalë adekuate shqip), të përzieme me perime të fërgueme. Tash, përveç që noodles janë të zieme mirë edhe shkrihen në gojë, aty ka edhe diçka në mëlmesat e përzieme, që e bën këtë gjellë me tu harxhue shumë shpejt, sepse kur e nisë s'din me u ndalë. Krejt kjo, me nji çmim që s'ta rëndon xhepin edhe nji shërbim të ngrohtë prej kamerierave.

€5.50


Këtu shkohet vetë i dyti, se atmosfera e qetë ta imponon, sepse mundesh me ba muhabet, përpos sa je tuj e hangër pulën aziatike, kur s'ke kohë me folë.


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

 

6. Mushkëni me qepë
Pjata | 038 220 729 | 044 205 489
Nëse je për diçka ma ekskluzive edhe do me i lanë përshtypje dikujt kur e fton për drekë, atëherë Pjata definitivisht ka me i lanë mbresa, për faktin se është restorant ma i izoluem, i qetë edhe e ka ushqimin edhe muzikën e mirë.

Për mue, gjella e preferueme është mushkënitë me qepë, të cilat janë të preme në copa të holla edhe të pregatituna në verë të kuqe, që e përzieme me lëngun e mushkënive bahet një salcë shumë e shijshme, e cila i jep puresë me patate (poashtu të mrekullueshme) nji shije të veçantë. E di që jo secili prej jush i ha mushkënitë, por shyqyr Pjata e ka nji menu koxha ekzotike, ku sigurisht ke me gjetë diçka që ka me të pëlqye.

€6.73


Pjata poashtu e përgatitë cheesecake-in ma të mirë që e ke hangër ndonjiherë, por për këtë në artikullin tim për Top 10 desertat në Prishtinë së shpejti.


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

 

5. Pizza Quattro Formaggi
Pizza Napoli (ai në Kodër të Diellit) | 044 785 411
Për ata që s'i kanë punët mirë me italishten, nuk hanë shpesh pizza edhe nuk i pëlqejnë veturat Audi (a ka këso njerëzish?), Quattro Formaggi do me thanë "katër djathëna". Me siguri që e ke dijtë këtë gjë, po eh, po e tregoj për çdo rast.

Unë, si adhurues i gati të gjitha llojeve të djathënave edhe adhurues i pizzave që piqen në furra druni, jam në gjendje katër ditë rradhazi me e hangër këtë kombinim të gorgonzola, emmental, parmezan edhe mozarella, në brumin e njanës prej pizzerive ma të mira në qytet. Brumë i hollë ky, që të le shenja të miellit nëpër gishta, djathi në masë të mjaftueshme, që zgjatet si llastëk me çdo kafshore, mmmmmm...

"Mamma mia", kish me thënë ushtari i KFOR-it italian (Bersaglieri) me kapelë me pupla fëllanze, i stacionum në Dukagjin diku, e që e ka marrë malli për mëmëdhe.

€5.00


Pizza Napoli bën edhe delivery, për ata që nuk e dijnë.


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

 

4. Piri Piri Chicken
Te Komiteti | 044 784 147 | 044 300 249
Piri Piri është lloj salce me prejardhje prej nji speci djegës në Afrikë, me emën portugez prej Mozambikut (ka variante edhe me emnat pili pili ose peri peri). Edhepse s'jam fort adhurues i ushqimeve shumë djegëse, këta e vendosin salcën anash edhe mundesh me e ngjye sa të duesh.

Në pjatë të vjen nji gjysëm pule e pjekun mirë në furrë, edhe pure patatesh e pregatitun shkëlqyeshëm (jo prej atyne që i blen të gatshme, por prej patateve të vërteta), me tamam përmbajtje të gjalpës edhe qumështit që nuk ia jep teksturën as shumë të thatë me të mbetë në fyt, e as shumë të langët me të ikë pa e shiju. Ke me mbetë tuj i lëpi gishtat, se ndryshe kjo pulë nuk hahet.

€7.90


Kur kanë, zakonisht verës, Te Komiteti e shërbejnë çajin e ftohtë ma freskues në rajon, e ndoshta edhe Evropë, komplet produkt i shpisë.


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

 

3. Biftek me salcë piperi
Gresa | 038 245 841 | 044 112 391 | 044 264 794
Çka më tërhjek me shku te Gresa ma së pari, janë ata simitat e vegjël edhe pjata me një salcë misterioze dhe shumë të shijshme, të cilën e ngjyen me shumë pasion deri sa e pret biftekun me të ardhë.

E bifteku të vjen në një pjatë të madhe, me një copë të butë mishi që të shkrihet në gojë, e që është i mbuluem me salcë plot kokrra të trasha piperi të zi, edhe patate furre e perime në skarë anash. Përpos që ka shije që të vallëzon qyqek në gojë, si sasi të mbush gjithsesi deri në fund të ditës, e në raste edhe deri të nesërmen.

€11.90


Kamarierat qysh herën e dytë apo të tretë kur të shkojsh, kanë me ta mësue edhe emrin edhe ushqimin e preferuem, që ia jep krejt përjetimit edhe një dozë shtesë lezeti.


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

2. Chicken Korma
Mumtaz Mahal | 038 225 875 | 044 114 726
Pak njerëz në Prishtinë dijnë për Mumtazin, restorantin ma të mirë indian në qytet (s'po them të vetmin, se mundet me pasë edhe tjerë për të cilët nuk di). Shumë prej prishtinalive s'e pëlqejnë këtë lloj ushqimi, sepse nuk e kanë provu. Plot ankohen në erën e randë të mëlmesave që i përdorin, që në fakt janë pikërisht ato që e bëjnë këtë ushqim fenomenal.

Chicken Korma është një prej tyne, edhe për mu e bën të veçantë qumështi i kokosit që kombinohet me mëlmesat tjera, copëzat e pulës edhe jogurtin e kremën që i jepin formë të langët. Për me u kompletue kjo gjellë, duhet me u kombinue me oriz pilau (me ose pa perime) edhe bukë naan (me ose pa hudhër). Kujdes, mos harro me e cekë edhe sasinë se sa të djegëst po e do. Në Indi, "pak" domethanë "koxha" për mue, e shumë i djegëst më shndërron në drague edhe ma qet gojën mbas kreje.

€6.00


Emri Korma vjen nga gjuha persike, e që derivon prej foljes turke Kavurma, që domethanë "me pjekë në skarë".


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

 

1. Elbasan tavë
Tiffany's| 038 244 040 | 044 350 550
Kur i tregova disa zhapinave të tjerë për drekën time ma të preferueme në Prishtinë, kish edhe asi që nuk u pajtuen. Xhelozat! Po hej, asnji zhapin s'është i njëjtë, pavarësisht që juve njerëzve mundemi me ju dukë të tillë. Po, boll për zhapinat, të kthehemi te ajo që e kemi të përbashkët me njerëzit - dashnia për ushqim të mirë.

Elbasan tavën e ndin hala pa të mbërri në tavolinë, sepse vjen në pjatë tave dheu tepër të nxehtë, duke i gurgullue kosi i vluem që dëgjohet prej së paku 3 metrave distancë.

E pregatitun ma mirë se çdo Elbasan tavë tjetër që e kam provue ndojherë në rajon, përfshi edhe ato të shpisë, kjo e ka vetëm një mangësi: nuk të pritet deri të ftohet, edhe pa u djegë pak në dy kafshoret e para rrallëherë shpëton. Veç, kur nis me e shiju kosin me mëlmesa edhe mishin e butë të viçit të copëtum tamam për çdo kafshore, ndodh edhe seksin nganjiherë me e harrue që ekziston. Orgazëm ushqimore. Ani, po e pate edhe nji sallatë me copa djathi atypari, rrezik që ke me e ba të dashurin/ën fort xheloz/e. Ahhh, he jetë o jetë, me kambë përpjetë.

€8.00


Tiffany's njihet për gjellat tradicionale, kështu që nëse shkoni disa veta, më së miri është me i marrë disa ushqime të ndryshme, e me i kombinue nga pak. Kombinimi ma perfekt: Elbasan tavë, sarme me fletë rrushi, mantija me kos, mish në shkop, mish qingji me patate furre. Supat edhe sallatat veç e bëjnë edhe më eksplozive.


Shihi Top 10 drekat në Prishtinë në hartë më të madhe

Me e përmbyllë...
Edhe nëse nuk pajtohesh me përzgjedhjen time krejtësisht, jam koxha i sigurt se në këto momente po të dridhen duart edhe po të shkojnë jargët për goje. Po, e di, se edhe vetë e kam zgjedhë momentin më të keq me shkru për tanë këtë ushqim - në mes të natës.

Na zhapinat mundemi me u dukë ma të qëndrueshëm, e edhe jemi, por ushqimin e kemi pikë të dobët, sikur ju njerëzit. Ika me i zie dy voe.
 
Previous article: Moment inspirues - falja 5 minuta
Next article: Top 10 rrenat më efektive shqipe

 
[Pieces written in this blog do not necessarily represent Karrota's views and principles, but solely reflect the author's point of view]
 
Recommend this blog article
 
Your thoughts?
Feel free to comment, share your thoughts and ideas, give suggestions, or simply rate this article in the comments below.