Hello : Blog  ///  Previous   Next
 
57 ditët ma të mira të prodhuesit kosovar
By Fisnik Ismaili in Kosova on 21/11/2011 with comments
Tags: Albanian, Economy, Food, Inspiration, Politics, Production, Social
 
Shënim: Në shikim të parë, ky artikull mundet me u dukë se ma shumë ka të bajë me ekonomi edhe politikë, por duhet kuptue se këto të dyja, deshëm apo s'deshëm na, luejnë rol të madh edhe në zhvillimin e fushës së marketingut, reklamimit edhe komunikimit në Kosovë e Shqipëri. Duke qenë se zhvillimi ekonomik edhe rritja e prodhimtarisë së vendit na bjen ma shumë punë edhe neve si agjenci, është esenciale që na duhet me e përkrahë edhe nxitë nji zhvillim të tillë.

Fisnik Ismaili | 30 nëntor 2011
 
Në mesin e temave të “nxehta” ekonomike të vitit 2011 në Kosovë, të cilat përfshijnë çashtjet si buxheti i Kosovës me paqartësitë lidhun me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), autostrada e kombit, rritja joreale e pagave të mësimdhënësve e të tjerëve në administratë, si dhe raporti i progresit, tema e 57-ditëshit të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë medoemos se e ka marrë epitetin e njanës prej atyne ma të nxehtave, përkundër gjithë kësaj konkurrence.

Këto tema të flakëta po ndodhin pikërisht prej faktit se vendimet politike në Kosovë po kanë më shumë ndikim në ekonominë e vendit, se që ishin deshë me pasë, posaçërisht kur rezultatet po dalin në dëm të biznesit dhe të konsumatorit, me një fjalë, qytetarit, shpesh për shkak të etjes së pafund për pushtet, përfitimit të poenave politikë apo, thjesht, korrupsionit dhe krimit të organizuem.

Në vendet e zhvillueme ekonomikisht ndodh krejt e kundërta: ekonomia në mos i përcaktoftë, atëherë së paku i influencon gati të gjitha vendimet politike të një qeverie. Për më tepër, ekonomia e zhvillueme është vetë indikator i fuqisë së një vendi.

Lëvizjet politike në Kosovë, posaçërisht në relacion me Serbinë, u influencuen nga “bisedimet teknike” që filluan herët sivjet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, gjithmonë duke përfundue me kushtëzime e mosmarrëveshje, çdo herë në kundër interesave të qytetarit të Kosovës.

Në ndërkohë, përkundër të gjitha vështirësive që Serbia vazhdimisht ia shkakton Kosovës, e që përfshijnë situatën e tensionueme në veri, krijimin e strukturave paralele, refuzimin e mallnave kosovare, lobimin nëpër botë për mosnjohjen e pavarësisë, e deri te refuzimi që ta njohin ata vetë Kosovën si të pavarun, Serbia vazhdon me i eksportue nga 700 milionë euro mall në Kosovë. Prej tyre, afro 300 milionë të kontrabandueme, që gjithsesi është një shumë jo vetëm marramendëse, por rrafsh sa gjysma e vetë buxhetit të Kosovës, i cili është rreth 1.4 miliardë euro.

Prandej, vendosja e masave të reciprocitetit me 20 korrik ishte rezultat i një presioni politik, më shumë nga opozita sesa nga vetë “bisedimet” e pafrytshme me Serbinë, edhepse realisht ish dashtë me qenë e kundërta. Natyrisht, ishte edhe dëshira për përfitim të poenave politikë, ngase mbas një kohe të gjatë u mor një vendim për të mirën e ekonomisë së Kosovës, që rrjedhimisht kishte me e përfitue simpatinë, e dikur edhe votën e elektoratit.

Pavarësisht se si dhe pse u vendosën këto masa, një gjë ishte e qartë vetëm pak ditë më vonë: çdo prodhues kosovar, e posaçërisht ai që dëmtohej direkt nga konkurrenca prej mallit serb, shënoi rritje në shitje, rrjedhimisht edhe në prodhimtari. Kjo pati ndikim direkt në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke krijue vende të reja pune edhe duke e qarkullue paranë brenda Kosovës, e jo duke e nxjerrë jashtë kufijve, ndër të tjera.

Mbas bisedave me disa prodhues kosovarë, shumë lehtë ishte me ardhë në përfundim se këto kishin qenë 57 ditët më të mira të biznesit të vendit prej paslufte deri më sot. Edhepse koha ishte shumë e shkurtë për me nxjerrë rezultate të sakta, duke e marrë parasysh se në këtë periudhë ishte edhe muaji i Ramazanit që gjithmonë shënon rritje të shitjes, posaçërisht të prodhimeve ushqimore, rritja megjithatë ishte e dukshme, e në disa raste masive.

Duke u bazuar në informatat nga prodhuesit e vendit dhe shitësit njëkohësisht, prodhimet e qumështit kanë treguar rritje 40- 60%, ndërsa lëngjet deri 100%. Prodhuesi, dhe njëri prej eksportuesve të rrallë kosovarë të pemëve dhe perimeve të ngrira në Evropë, APC nga Podujeva, ka pasë rritje prej 70%, ndërsa konkurrenti më i denjë i Plazma keksave të Serbisë, prodhuesi Liri nga Prizreni, ka pasë rritje gjigante të prodhimtarisë së biskotave Sempre, deri 1500%. Po po, 1500%. Poashtu, rritje të madhe kanë shënuar të gjithë prodhuesit e tullave dhe materialeve tjera ndërtimore, duke qenë se konkurrenca e tyre direkte janë prodhuesit nga Serbia.

Secili bashkëbisedues poashtu ka konfirmue se, edhepse ka pasë rënie të konsiderueshme pas heqjes së masave të reciprocitetit më 16 shtator, fatmirësisht, ajo nuk ishte aq e madhe sa rritja, ngase të gjithë tani janë me përqindje më të lartë se që ishin para vënies së masave me 20 korrik.

Ky është indikator i sigurt se një numër i konsiderueshëm blerësish i ka konsumue prodhimet alternative të vendit dhe vazhdon me i ble ato, që tregon rritje edhe në nivelin e vetëdijësimit të konsumatorit, por edhe në besimin që është krijue ndaj prodhimit të vendit.

Medoemos se iniciativa Duaje tënden, e nisur pak para heqjes së masave të reciprocitetit, me qëllim për me e nxitë edhe përkrahë prodhuesin vendor, ka pasë ndikim të madh në vetëdijësimin e konsumatorit, gjë që e konfirmojnë edhe vetë prodhuesit, të cilët e cilësojnë këtë fushatë si shumë të qëllueme dhe frytdhanëse.

Po sikur të kishin zgjatë këto masa edhe më shumë? Së paku për disa muaj? Rezultatet kishin me qenë edhe ma mbresëlanëse, duke e marrë parasysh se mungesa e një prodhimi e shtyn konsumatorin me ble prodhime alternative, ndaj të cilave mbas një kohe krijon lojalitet, duke e bë më të vështirë me iu kthye prodhimit të mahershëm, edhe nëse ky i fundit futet në treg përsëri.

Arsyen e vërtetë se pse pushteti i hoqi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë mbase nuk kemi me i kuptue kurrë. Në një situatë kur Serbia vazhdon me ia vështirësue prodhuesit kosovar tregtinë që në parim ish deshtë me qenë e lirë (ashtu si thotë marrëveshja e CEFTA-s), u pa qartë se pushteti kosovar e ka një opsion shumë të fuqishëm jo vetëm për me e përmirësue ekonominë e vendit, por edhe me e përforcue pozitën negociuese në “bisedime”, si dhe me ia zvogëlue burimet financiare strukturave paralele të krijueme në Kosovë, të cilat vazhdimisht po punojnë drejt përkeqësimit të situatës socio-ekonomike në vend.

Fundja, nuk kishte me i kushtue pushtetit asgjë po të kishte mjaft vullnet politik me e përkrahë e promovue prodhuesin e vendit si duhet, pa iu deshtë me prishë asnji marrëveshje të tregtisë së lirë me shtete tjera. Nuk kishim me qenë as vendi i parë, e as i fundit, që e bën këtë gjë. Çka ka të keqe nëse e do tënden?

57 ditë sivjet e dëshmuen se prodhimi i vendit ka edhe potencial me u shitë, edhe me u përmirësue. E, më e randësishmja, se ne, konsumatorët, mundemi me jetue poaq mirë edhe pa prodhime serbe në Kosovë.

Pa dashtë me e zgjatë ma shumë, ky artikull qartë dhe thjesht e ilustroi se sa e lehtë është që, me pak mund e vullnet, mund të bahen ndryshime të mëdha në dobi të zhvillimit ekonomik, prodhuesit kosovar dhe, mbi të gjitha, mirëqenies së qytetarit të Republikës së Kosovës. Mungon vetëm dëshira, sepse, aty ku ka dëshirë, ka edhe vullnet.

 
Previous article: Moment inspirues - falja 5 minuta
Next article: The responsibilities of Graphic Designers in Kosovar society

 
[Pieces written in this blog do not necessarily represent Karrota's views and principles, but solely reflect the author's point of view]
 
Recommend this blog article
 
Your thoughts?
Feel free to comment, share your thoughts and ideas, give suggestions, or simply rate this article in the comments below.